Presidenti i Ligës Gjermane: Po rifillojmë, por jemi në provë!

Dëshirojnë të nxitojnë, ndaj edhe u caktua data më e afërt e mundshme. Bundesliga gjermane rifillon zyrtarisht në 16 maj, pas lejes së marrë nga qeveria e zonjës Merkel, duke mos dashur të humbisnin kohë për të nisur në 22. Ndryshimi i vetëm nga tradita do të jetë që të premten e 15 majit nuk do të ketë ndeshje.

Të gjitha këto i sqaroi presidenti i Ligës Gjermane të Futbollit, Kristian Zaifert, që theksoi se “të gjithë duhet ta kemi të qartë se jemi duke luajtur, por duke qenë në provë, dhe unë pres që gjithkush të jetë në lartësinë e përgjegjësisë që kërkohet”. Sipas tij, të gjithë stadiumet janë gati, ndërsa do të ketë herë pas here, javë nga ato që quhen angleze, pra me dy ndeshje në 7 ditë për çdo skuadër. Kjo do të ndodhë dy herë.

Presidenti i ligës njoftoi se pati edhe dy pozitivë të tjerë me koronavirus, pas testimeve të dyta, por kjo nuk do ta pengojë Bundesligën. Skuadrat do të jenë të karantinuara nëpër hotele para ndeshjeve.

Java e 26-të nis të shtunën e 16 majit në 15:30, dhe spikat sidomos derbi i Ruhrit, mes Dortmundit e Shalkes, ndërsa po atë ditë do të jetë në fushë Lajpcigu, që pret Frajburgun. Bajerni kryesues do të luajë të dielën, pra në 17 maj, në orën 18:00, ndërsa do të ketë ndeshje të hënën. Në orën 20:30, do të jetë në fushë Verderi i Bremenit, ekipi i Milot Rashicës, që pret Leverkusenin në stadiumin e tij. Dueli më i madh, ai mes Dortmundit e Bajernit pritet të luhet në mesjavën e 27-28 majit.

Sfidanti.al