Botërori i basketbollit mbërriti në aktin e tij final. Në Arenën e shkëlqyer të Pekinit do të luhet ndeshja vendimtare për titull dhe përballë Spanjës do të jetë Argjentina. Skuadra nga Amerika e Jugut, që prej të paktën dy dekadash ia ka marrë Brazilit “flamurin” e ekipit më të fortë të kontinentit, kaloi Francën dhe u udhëhoq nga kapiteni i saj, Luis Skola. Ky 39-vjeçar do të jetë arsyeja që mijëra tifozë kinezë do të jenë me Argjentinën, pasi luan për “Peshkaqenët” e Shangait, në elitën e basketbollit të Kinës.
Në moshën e pabesueshme 39-vjeçare, ai udhëhoqi ekipin e tij ndaj një France me moral të lartë, pasi sapo kishte eleminuar SHBA-në. Skola shëoi 28 pikë dhe kapi 13 topa në tabela, në suksesin 80-66, ndërsa argjentinasit ishin gjatë gjithë kohës përpara. Formacioni bardhekaltër mund të thuhet se u mbështet në një traditë të madhe, pasi në vitin 2004 fitoi medaljet e arta olimpike, duke pasur Skolën në përbërje, e duke mundur SHBA-në. Në 2008-ën, Argjentina e Skolës mori medaljet e bronzit në Lojrat Olimpike 2008 në Pekin, ndërsa në 2002, doli nënkampione e botës në Indianapolis, duke humbur finalen ndaj Jugosllavisë.
Pas fitores, në dhomën e zhveshjes, ndërsa lojtarët e tjerë argjentinas kërcenin e këndonin, Skola qendroi i ulur pa lëvizur, duke mos treguar emocione. Në krah të tij në finale do të jetë edhe ylli i ri i Realit të Madridit, Fakundo Kampaso, i cili shpejt mund të kalojë në NBA.
Sfidanti.al