Trajneri Nagelsman kërkon fitoren e tretë personale ndaj Bajernit

Është ende aq i ri, saqë duket sikur është ulur në stol si lojtar zëvendësues. Në të vërtetë, është trajneri simpatik i Lajpcigut, Julian Nagelsman, që po përpiqet të bëjë emër në moshën 32-vjeçare. Këtë fundjavë ka përballjen më të vështirë të sezonit, atë ndaj Bajernit, ndonëse e luan në shtëpi. Trajneri riosh ka arritur dy fitore ndaj bavarezëve, kur ishte në stolin e Hofenhajmit, dhe do të kërkojë të tretën, edhe pse e di se do të jetë shumë e vështirë.

“Që të fitosh ndaj Bajernit duhet të jesh i fuqishëm, të luash shumë fortë, të ushtrosh trysni për 90 minuta, – tha ai, – vetëm kështu ia del. Duhet guxim”. Problem më vete është të gjesh se kë do të aktivizojë trajneri mik, Niko Kovaç, Tomas Mylerin apo Filip Kutinjon. “Nuk është se ndryshon shumë, por gjithsesi ka një shqetësim, – pohon Nagelsmani, – unë kam menduar nga një variant për secilin, por nuk do t’ua them. As Niko (Kovaçi) nuk do t’ua thoshte po të ishte në vendin tim”. Trajneri i Lajpcigut vlerësoi se Myleri është më i vështirë për t’u mbuluar sepse ndryshon shpesh pozicion, ndërsa Kutinjo ka një rol të caktuar, siç ndodhi tek Liverpuli apo Barcelona.

Sfidanti.al