Për Francën tani e dimë se gjithçka u shumëzua me zero, dhe futboll nuk do të ketë deri sezonin tjetër. Në Gjermani gjithçka shtyhet dhe nuk dihet kur, në Itali ka debate pa fund dhe autoritetet nuk janë të bindura nëse duhet të japin leje, ndërsa në Angli ka më shumë optimizëm, por nëse do të vazhdojë të ketë karantinë deri në qershor, do të jetë e vështirë. Pra, pyetja që bëjnë mediat europiane është nëse do të mund të luhet futboll këtë verë, madje nëse do të luhet deri në fund të vitit!
Problem më vete, çështja e stërvitjeve, pasi ato nuk mund të jenë kolektive, siç është e detyrueshme në një sport si futbolli, me aksione në grup, me dyluftime dhe me goditje dënimi e nga këndi. Çështje e ndjeshme etike është ajo e testimeve. A mundet që Ligat të blejnë me dhjetëra mijë teste për të provuar vazhdimisht se yjet e tyre nuk kanë koronavirus? Si mund të pritet kjo kur shtetet kanë vështirësi të bëjnë testime masive për popullsinë, qoftë edhe nga një herë të vetme? Shpresa për futbollin ende ekziston, por pengesat janë të tilla që nuk të bëjnë shumë optimist.
Sfidanti.al