Majkëll Xhordani si Bob Dilani dhe grupi irlandez U2!

E thotë agjenti i tij, Dejvid Folk, kur pyetet për klientin e famshëm me të cilin ka të bëjë. Majkëll Xhordani ka marrë pjesë në reklama me disa kompani të nivelit të lartë, por ka refuzuar shumë të tjera. Arsyeja kryesore, sipas Folkut, është se ish-kampioni i NBA-së ka qenë dhe mbetet shumë përzgjedhës, pra nuk dëshiron ta shoqërojë emrin e tij me çfarëdo kompanie. Me gjasë, nuk është i bindur se produkti që reklamohet është i tillë që ia vlen. “I solla në tryezë një propozim për 100 milionë USD që kërkonin vetëm 2 orë pjesëmarrje të Xhordanit, – tha Folku, – dhe ai refuzoi”. Jo pak, të refuzosh 100 milionë USD pagë për 2 orë!

Ja pra një krahasim me artistë të mëdhenj si Bob Dilani apo grupi irlandez U2. Ata kanë pasur gjithashtu shumë pak bashkëpunime, sepse nuk i pëlqenin reklamat, pasi i quanin të tillë sikur donin t’i shisnin njerëzve “sapunin për djathë”. Vetë Stiv Xhobsi, kreu i kompanisë Ejpëll (Apple) i bindi që të bashkëpunonin, duke thënë se kompjuterat e tij do të përmirësonin jetën e njerëzve. Xhordani vetë ka kontrata me Najkun, Koka-Kolën, Mekdonaldsin dhe Shevroletin.

Sfidanti.al