Afron plej ofi, dhe Amerika po sheh Lebronin e vërtetë!

U desh kontributi i të 10-të basketbollistëve që u aktivizuan, por sërish nevoja ishte më e madhe për dy prej tyre, Lebron Xhejmsin dhe Entoni Dejvisin. Madje, diferencën deri në kohën shtesë e bëri Lebroni me një tripëll dabëll. Kjo është historia me pak fjalë e ndeshjes së madhe të luajtur në fushën e Denverit, ku Lejkërsat fituan duelin e dy prej fuqive më të mëdha të Konferencës Perëndimore.

Rezultati pas 53 minutave (48’ kohë e rregullt, 5’ shtesë) ishte 120-116, dhe lojtari më i mirë në fushë ishte pikërisht Xhejmsi. Ai shënoi 32 pikë, kapi 12 topa në tabela dhe shërbeu 14 asistë. Nuk është se shkëlqeu shumë në gjuajtje, duke gabuar mjaft për 3 pikë dhe gjuajtje të lira, por sidoqoftë paraqitja e tij komplekse ishte e nivelit tepër të lartë. Dejvis shtoi 33 pikë e 10 topa në tabela, si dhe 2 asistë, 2 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh, ndërsa të tjerët bënë më pak. Hauard shënoi 14 pikë (11 topa në tabela), Bredli e Karuzo nga 10, dhe Kalduell-Poup 9.

Denveri luajti gjithashtu shumë mirë dhe ishte pranë fitores. Nikola Jokiç realizoi 22 pikë, 11 topa në tabela, 5 asistë, 3 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, ndërsa Xhamal Marrej shtoi 32 pikë, 3 topa në tabela e 10 asistë. Lejkërsat janë në krye të Konferencës Perëndimore me 41 fitore e 12 humbje, ndërsa Denveri është në vend të dytë me 38-17.

Sfidanti.al