Duhen edhe rreth dy javë deri sa të vijë ndeshja e madhe e Championsit, mes Realit të Madridit e Mançester Sitit. i mbiquajturi “çifti i vdekjes”, ai do të vendosë përballë dy prej skuadrave më të mira të Europës, ndonëse me histori shumë të ndryshme. Përtej faktit se Pep Guardiola do të jetë sërish kundër “armikut” të përjetshëm, në një “El Klasiko” personal, dy ekipet vijnë me më shumë kohë për të pushuar, por edhe me dyshime për disa nga yjet kryesorë.
Reali e ka marrë veten që nga koha e hedhjes së shortit, dhe në 2 muaj është konsoliduar. Ka dalë në vend të parë në La Liga dhe ka fituar Superkupën e Spanjës. Njolla e vetme është eleminimi nga Kupa e Mbretit prej Sociedadit, humbja gjithashtu e vetme që nga 19 tetori. Ky eleminim, gjithsesi, i jep kohë të bëjë më shumë pushim, pra të mos luajë dy gjysmëfinalet. Edhe Siti ka më shumë pushim, madje më shumë se Reali, pasi në Angli është vendosur këtë sezon pushimi dimëror, rreth 2 javë tani në shkurt. Kur dy ekipet do të ndeshen në 26 shkurt, Siti do të ketë luajtur vetëm 2 ndeshje në 24 ditë. Dyshime, gjithsesi, ekzistojnë për dy nga yjet kryesorë, Eden Hazarin për Realin dhe Rahim Stërlingun për Sitin.
Sfidanti.al