Mauricio Sarri mund të jetë një trajner shumë i mirë, diçka që e tregoi në Itali me Empolin dhe Napolin. Gjithsesi, jo gjithnjë tekniku mund të përshtatet me klubin ku shkon dhe duket se tek Çelsi po mendojnë për të ecur përpara. Presidenti dhe pronari, Roman Abramoviç, që duket se ende i dashuron blutë e Londrës, po mendon për njeriun e ri të stolit. Pavarësisht mungesës së stabilitetit që mund të sjellë largimi i një tjetër trajneri, emri që po mendohet si pasardhës mund të bëjë që t’ia vlejë barra qiranë.
Ky pritet të jetë Frenk Lampard, trajneri pa stazh, por me mjaft personalitet që punon tek Derbi Kaunti. Ish-mesfushori tregoi aftësinë e tij duke fituar ndeshjen gjysmëfinale të plej ofit për t’u ngjitur në Premier Ligë. Kjo, në fushën e Lids Junajtidit, me shifrat 4-2, dhe Derbi u kualifikua për në finale. Lampardi është ende në fillimet e punës së tij, por sukseset me Derbin nuk duken gjë e vogël, aq më shumë që përballë pati një mjeshtër të vjetër si Marselo Bielsa. Nëse skuadra e Lampsit fiton finalen e “Uemblit” ndaj Aston Vilës, ngjitet në Premier Ligë.
Sfidanti.al