Mançester Siti në prag përjashtimi nga Championsi, akuza e UEFA-s afron katastrofën!

Do të duhet të presë ndoshta një vit, për të provuar këto emocione. Mançester Siti në Champions mund të jetë një mision i shtyrë të paktën për një vit, pasi UEFA mori vendimin për klubin anglez. Nuk ishte një lajm i mirë për sheikët pronarë, pasi UEFA vendosi ta quajë të dyshuar për faj, dhe ta dërgojë në Dhomën Dëgjimore të organit të saj të kontrollit financiar.

Siti akuzohet se ka shkelur Rregullat e Lojës së Ndershme Financiare, dhe kjo do të thotë se fitorja e titullit në Angli këtë edicion, mund të mos ketë asnjë vlerë për pjesëmarrjen në shtator në Ligën e ardhshme të Kampionëve.

Klubi anglez doli menjëherë me deklaratë, ku u shpreh se ndihet i zhgënjyer dhe i zemëruar, por aspak i habitur nga kjo rrjedhë që po marrin ngjarjet. Sheikët thonë se akuzat janë false, pa prova, dhe duke mos marrë parasysh faktet e paraqitura prej tyre.

Gjithsesi, gazeta “Deili Meil” shkruan se Siti është një hap larg përjashtimit, pasi domethënia e akuzës së UEFA-s është shumë e madhe. Dhoma Dëgjimore e UEFA-s drejtohet nga Iv Laternë, ish-kryeministër i Belgjikës, dhe precedentët janë që ka pasur gjithnjë dënim.

Lajmi fillimisht u dha në 13 maj nga “Nju Jork Tajmsi”, që njoftoi se UEFA e dërgoi klubin anglez në Dhomën Dëgjimore për shkeljet financiare, dhe parashikoi se dënimi do të jetë të paktën 1 vit përjashtim nga Championsi. Gjithçka nisi një vit më parë, kur dolën në dritë dokumentet e Futboll Liksit, në revistën gjermane “Der Shpigel”.

Autori i Futboll Liksit, portugezi Rui Pinto, nxorri dokumenta sipas të cilave, drejtuesit e lartë të Sitit kanë përdorur kompani të dyshimta, me investim të fryrë, për të justifikuar shpenzimet, dhe për të anashkaluar kufizimet e Rregullave të Lojës së Ndershme Financiare të UEFA-s. Në vitin 2015, sheikët shitën 13 për qind të aksioneve te një kompani kineze për 400 milionë USD, një shifër që u quajt e ekzagjeruar.

Vendimi pritet të merret brenda pak ditëve dhe nëse ndodh përjashtimi, do të krijohej një dëm i madh për Sitin. Skuadra e saposhpallur kampione e Anglisë rrezikon ekuilibrin financiar, mund të humbasë yje apo të mos marrë yje të tjerë, gjë që do ta dëmtonte edhe në garën e Premier Ligës. Siti ka ëndërr të fitojë Championsin, por deri tani gjithnjë ka dështuar të kalojë më tej se çerekfinalet.

Sfidanti.al