A mund të jetë Kavani, “melhemi shërues” i “plagëve” të Çelsit të Sarrit?!

Edhe pse shënoi dy herë në Kupë, sërish nuk mjafton. Alvaro Morata u mor për gati 85 milionë euro, por Çelsi nuk është i kënaqur nga sulmuesi spanjoll, ndaj po kërkon një tjetër.

Trajneri Mauricio Sarri është i shqetësuar nga problemet e javëve të fundit, që e kanë lënë ekipin e tij prapa kryesuesve të Premier Ligës, ndaj edhe kërkon një zgjidhje, dhe kjo mund të jetë afrimi i Edinson Kavanit nga Paris SG.

Mediat britanike njoftojnë se Çelsi është gati të ofrojë 50 milionë paund stërlina, apo rreth 55 milionë euro, shifër jo edhe aq e vogël për një lojtar 31-vjeçar. Nuk do të jetë aspak e lehtë që të binden parizienët të mbeten pa Kavanin, i cili vazhdon të shënojë gola, pavarësisht nga konkurrenca e Nejmarit dhe Kilian Mbapesë.

Uruguajani ka realizuar 13 rrjeta e ka shërbyer 4 asistë në 17 ndeshje këtë sezon, ndërsa është rekordmeni i golave për PSG-në me 183 të tillë që nga viti 2013, duke qenë tepër i vlerësuar nga tifozët.

Gjithsesi, Sarri kërkon të forcojë sulmin e Çelsit, pasi në kampionat blutë e Londrës kanë shënuar vetëm 38 herë, shumë më pak sesa Liverpuli, Mançester Siti, Totenhemi, Arsenali madje edhe Mançester Junajtidi. Kavani do të ishte një zgjidhje e shkëlqyer, ndërsa bashkë me sulmuesin e Uruguajit, trajneri italian synon edhe sulmuesin e Kaljarit, Nikolo Barela.

Sfidanti.al