Aty ku nuk ka kontroll, edhe po të kesh pasuri, nuk bën prokopi. Populli ynë, aspak budalla, e ka ditur këtë prej kohësh, dhe po provohet në klubet tona të futbollit. Koha e buxheteve të “frikshme” ka ikur një herë e mirë, por gjithsesi “huqi del me shpirtin”, dhe ndonëse kriza e rrogave është “ulur këmbëkryq”, sërish dëshira për t’u dukur nuk vdes.
Disa nga klubet tona po ofrojnë rroga të jashtëzakonshme për Superligën tani në janar, paga që shkojnë nga 8 milionë lekë të vjetra deri në 8 mijë euro në muaj. Në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë, Serbi, madje edhe në Kroaci, do të habiteshin.
Ne nuk habitemi, sidoqoftë, sepse këtu tek ne nuk vlen parimi “gabimi, ndëshkimi”. Gllazgou Rejnxhëri mund të zbritet në kategorinë e katërt në Skoci, Lids Junajtidi në Angli, Fiorentina në Itali apo edhe shumë shembuj të tjerë, por tek ne, edhe kur ke një mal me borxhe nuk vjen falimentimi, madje edhe ku gjykatat vendosin kundër, përmbarimi thjesht të bllokon llogarinë bankare. Për çfarë ekziston ky shtet, pra, kur nuk zbaton dot ligjet e veta?
Gjithsesi, ky janar na tregoi edhe anën komiko-tragjike të futbollit tonë. Në një anë premtohen rroga milionëshe (që pastaj vonohen pa fund), nga ana tjetër ka klube që heqin edhe autobusin e ekipit, jo vetëm largojnë lojtarët e shumëpaguar nga ekipi.
Sfidanti.al