A do t’i shpenzojë Reali 200 milionë euro për Mbapenë?!

Është kthyer menjëherë në çështjen kryesore të verës. Kilian Mbape ka marrë mbi vete gjithë vëmendjen mediatike, pas refuzimit për të zgjatur kontratën me Paris Sen Zhermenin, ndërsa në skenë ka dalë një emër i madh. Reali i Madridit mund të jetë skuadra e tij e ardhshme, të paktën kështu komentohet në mediat spanjolle, angleze dhe franceze. Tabloidi britanik, “Deili Meil” (Daily Mail) shkruan se Reali do të dëshironte më mirë të shpenzonte 200 milionë euro këtë verë për të marrë Mbapenë, sesa të priste vitin 2024 për ta siguruar me parametër zero. Klubi spanjoll nuk i ka problem paratë.

E përditshmja “Marka” në Spanjë komenton se Mbapesë do t’i pëlqente të shkonte tek Reali, sidomos tani pas largimit të sulmuesit kryesor, Benzema. Gazeta e shquar sportive franceze, “L’Ekip” beson se Mbape mund të shkojë tek Reali, tek Mançester Siti, tek Liverpuli apo tek Mançester Junajtidi. Sulmuesi 24-vjeçar deklaroi se do të luajë edhe një sezon tek Paris Sen Zhermeni, ndërsa refuzoi të zgjaste kontratën që i përfundon vitin e ardhshëm. Klubi francez, gjithsesi, do të bëjë ç’mos që ta transferojë tani për të mos e humbur në 2024 me parametër zero.

Sfidanti.al