Fitorja iu dedikua atij, edhe pse shënoi vetëm një gol dhe këtë e bëri me penallti. Lionel Mesi u bë sërish heroi i Argjentinës, duke qenë një kapiten i vërtetë në suksesin bindës 3-0 ndaj Kroacisë për të kaluar në finalen e Kupës së Botës. i pari argjentinas që i prin “gauçosve” në dy finale të tilla, edhe pse të parën e humbi ndaj Gjermanisë. Këtë herë, amerikanolatinët nuk do ta kenë përballë “mallkimin teuton” që i dënoi në 1990 dhe 2014!
Mesi u duk në një version të shkëlqyer, sidomos me aksionin e golit të tretë shënuar nga Alvarez, dhe siç theksuan komentatorët dhe analistët, largoi vitet nga supet duke u dukur sikur ka qenë në kohët e arta të Barcelonës. “Nuk e di nëse kjo është forma ime më e mirë apo jo”, – tha me sinqeritet “Pleshti” pas ndeshjes. Argjentina ishte formula e përsosur e pragmatizmit, kombinuar me klasin e numrit 10. Kroacia bëri më shumë duke mbajtur topin 61 për qind, duke gjuajtur 12 herë ndaj 9 të kundërshtarëve (por vetëm 2 në portë ndaj 7) e duke kryer 50 pasime ndaj 334! Kjo ndaj një ekipi të Mesit!
Gjithsesi, ballkanasit vuajtën pasi pësuan golat, ndërsa stili i tyre i lojës ka qenë gjithmonë mbrojtja e fortë dhe kundërsulmi, ose një goditje e befasishme falë talentit dhe përvojës. Kjo Argjentinë ia kaloi për efikasitet! Pasi u arrit finalja e 6-të në histori në Botërorë, dhe pasi kapiteni shërbeu atë që u quajt asisti më i bukur i turneut, pyetja është nëse Lionel Mesi do ta udhëheqë ekipin drejt titullit botëror? Për Ibrahimoviçin është e shkruar në yjet se kështu do të ndodhë, ndonëse hapi i fundit nuk është hedhur ende!
Sfidanti.al