Alvarez, një “madrilen” si shoku i përsosur i Mesit!

Është 22 vjeç dhe e ka gjetur “dashurinë” e tij tek Mançester Siti i Pep Guardiolës, ndonëse ende nuk i ka bindur të gjithë për të luajtur shpesh titullar. Gjithsesi, ky Botëror ishte jo vetëm i Mesit dhe i Mbapesë, por edhe i Hulian Alvarezit. Sulmuesi argjentinas është njëra nga “emblemat” e ekipit që arriti finalen dhe mediat po shkruajnë me të drejtë se ai është partneri i duhur për “jashtëserinë” me numrin 10. Jo më kot, ai ka lënë në hije një Lautaro Martinez, ndërsa në stol është një Paulo Dibala apo edhe një Angel Di Maria, ndonëse ky i fundit ka rol tjetër. Sidoqoftë, një Botëror që mund të kishte dyshen Mesi-Lautaro, Mesi-Dibala apo Mesi-Di Maria, ka fituar çiftin Mesi-Alvarez. E përditshmja spanjolle “Marka” nuk harroi të kujtonte historinë madrilene të Hulianit, kur veshi fanelën merenges në moshën 11-vjeçare për t’u provuar e për të shkëlqyer. Fati nuk e deshi të ishte një yll në “Bernabeu”, por ndoshta dikur edhe mund të bëhet, sidomos pas shkëlqimit në Katar.

Sfidanti.al