Duket se finalet u takojnë vetëm atyre. Liverpuli e Çelsi janë ekipet më të mirë të kupave në Angli këtë sezon, me të kuqtë që janë më të mirët anglezë edhe në Champions ku kanë arritur finalen. Një tjetër finale do të luhet sot në 17:45 në “Uembli”, dhe në mes është trofeu më i vjetër i botës, ai i Kupës së Anglisë. Liverpuli fitoi finalen e Kupës së Ligës Karabao ndaj Çelsit, edhe pse vetëm pas gjuajtjes së penalltive dhe jepet sërish favorit. Të kuqtë kanë vetëm një lojtar që pritet të mungojë, dhe ky është Fabinjo, që mund të kthehet vetëm për finalen e Championsit. Roberto Firmino më në fund është gati.
Klopi u pyet sesa e vështirë do të jetë ndaj Çelsit? “Kjo është e qartë, – tha gjermani, – sepse në finalen e kaluar në të vërtetë ne nuk e mundëm Çelsin. Ne fituam vetëm falë penalltive. E dimë se në futboll duhet të kesh edhe fat, ndryshe nuk ia del. Ne e dimë që Çelsi është një ekip shumë i fortë, ndaj presim një tjetër finale shumë të fortë. Është finalja e Kupës së Anglisë, të dyja skuadrat do të japin gjithçka, dhe duan trofeun”.
Londinezët janë ende në pozitë të vështirë, ndonëse aksionet e klubit tashmë i ka blerë miliarderi amerikan, Tod Bëhli. Të besuarit e trajnerit Tomas Tuhel e dinë se pavarësisht problemeve dhe humbjes në finalen e Kupës së Ligës Karabao, Çelsi e ka fituar Kupën e Anglisë 5 herë, që nga koha kur Liverpuli ia doli për herë të fundit. Kryeqytetasit nuk kanë probleme të mëdha me dëmtimet, vetëm Kovaçiç është në dyshim, ndërsa kthehen Zhorginjo e Kante. Në sulm të gatshëm, Lukaku, Verner dhe Haverc. A pret tekniku i bluve një tjetër përballje thuajse të barabartë?
“Do të habitesha nëse do të ndodhte ndryshe, – tha ai, – kjo ka ndodhur gjithë këto kohë mes nesh, edhe kur fituam vjet në “Anfild”, edhe në dy barazimet këtë sezon në kampionat, në 120 minutat në Kupën e Ligës, në 20 e ca penalltitë që u gjuajtën. Po flasim për nivelin më të lartë, ne e njohim Liverpulin dhe ata na njohin se kush jemi. Një finale e madhe që natyrisht duam që ta fitojmë”. Çelsi ka shansin për të fituar trofeun e vetëm të sezonit, ndërsa Liverpuli ka mundësi që të fitojë katër kupa.
Sfidanti.al