Tomas Myler kthehet tek Gjermania, por sa do ta gëzojë Hansi Fliku yllin e tij të Bajernit?!

E përfundoi me sukses misionin e tij dhe do të largohet i qetë. Hansi Flik ikën si kampion nga Bajerni pasi fitoi titullin e dytë radhazi në Bundesligë, dhe shkon te kombëtarja e Gjermanisë, ku do të gjejë një njohje të vjetër. Tomas Myler, njeriu që shënoi 38 gola në 100 ndeshje, dhe që u shpall kampion i botës në Brazil në 2014 do të kthehet në ekipin përfaqësues. Ky është lajmi i mediave gjermane, por edhe i atyre europiane, pasi 31-vjeçari ka qenë një temë e nxehtë diskutimi prej më shumë se dy vjetësh.

Joakim Lëv doli në një konferencë për shtyp në 5 mars 2019 duke lajmëruar se Tomas Myleri nuk do të ishte më pjesë e kombëtares, ashtu si dy yjet e tjerë të Bajernit, Zherom Boateng e Mats Humels. Kanë kaluar 26 muaj dhe Lëv është penduar për vendimin e atëhershëm, që doli i gabuar. Myler është në formë të shkëlqyer me Bajernin, dhe këtë sezon ka 15 gola në 44 ndeshje si dhe me 19 asistë në Bundesligë.

Hansi Flik padyshim që do të jetë i lumtur që do ta gjejë lojtarin e tij tek Gjermania, dhe shpreson të ketë po ato suksese të mëdha që pati në Bavari, me dy tituj në Bundesligë, Championsin, dy Superkupat, Kupën e Gjermanisë dhe Kupën e Botës për klubet. Sidoqoftë, nuk pritet që gjithçka të shkojë fjollë.

Lotar Mateusi, ish-kapiteni i Gjermanisë dhe i Bajernit, sot analist televiziv, ka paralajmëruar se Fliku mund të mos punojë i qetë pasi në Federatën Gjermane, DFB, ka shpërthyer një luftë e vërtetë civile. Presidenti Fric Keler është në konflikt me zv. presidentin Rainer Koh, madje ka arritur deri aty sa e ka krahasuar me ish-gjykatësin e nazistëve, Roland Frajsler, ndonëse më pak kërkoi falje.

Sfidanti.al