Datat 13-15 mars janë ato të nisjes së sezonit të ri të Botërorit të Formula 1 me Cmimin e Madh të Australisë. Organizatorët e kësaj gare dhe drejtuesit e këtij kampionati po monitorojnë me kujdes situatën e krijuar nga zjarret që kanë pushtuar tokën australiane.
Ndërsa bëhet ky monitorim, pilotët kanë vendosur të japin sadopak ndihmën e tyre për të prekurit nga këto zjarre. Daniel Ricciardo nëpërmjet rrjeteve sociale bëri apel për ndihmë financiare duke shtuar se do të nxjerrë në ankand makinën me të cilën garoi në vitin 2019 në garën e Melbërnit për të ndihmuar financiarisht vendin e tij.
Po kështu edhe Ljuis Hamilton dhe Esteban Okon vendosën të japin kontributin e tyre. Piloti britanik 6 herë kampion bote e dha shembullin e tij teksa pas një peticioni arriti të mbledhe 450 mijë Euro në mbështetje të kafshëve, vullnetarëve dhe shërbimit zjarrfikës.
Zjarret kanë pushtuar Australinë që nga muaji tetor duke djegur 5 milionë hektarë duke shkaktuar deri në këtë moment 25 viktima, ndërkohë që dëmet në floran dhe faunën e vendit janë të pariparueshme. Për më tepër, cilësia e ajrit në Sidnej, Nju Uellsin e Jugut dhe Melbërn ku do të ngrejë siparin botërori I Formula 1 në 15 mars, nuk është aspak e mirë. Në një situatë të tillë, drejtuesit e F1 dhe organizatorët e garës janë në kontakte me autoritetet për të mësuar për të gjitha detajet. Vlen të kujtohet se në muajin nëntor u anulua edhe gara e Botërorit të Rally që ishte e fundit e këtij botëori, pikërisht për shkak të zjarreve.
Sfidanti.al