Murinjo beson tek fitorja, por a mund ta ndalë ai vërtet Liverpulin?

Harri Kejn nuk luan 3 muaj, Musa Sisoko po ashtu mungon 3 muaj, Kristian Eriksen e ka mendjen për të ikur, ndërsa Ndombele e ka bërë me nerva trajnerin e tij. E tillë është gjendja tek Totenhemi në prag të ndeshjes ndaj Liverpulit, në “Uajt Hart Lejnin” e ri, një duel që mund të jetë një tjetër kurorëzim për ekipin e pandalshëm të Jurgen Klopit, dhe një tjetër goditje për trajnerin portugez.Gjithsesi, Murinjo e ka këtë zotësi, që nuk e humb qetësinë as në momentet më të vështira, të paktën në konferencën për shtyp, dhe gjithnjë e ka gati një batutë.

“Mesa duket, në këtë sallë, vetëm dy vetë besojnë tek fitorja e Totenhemit, – tha ai gjatë konferencës me gazetarët, – këta janë unë, dhe zyrtari ynë i shtypit”. Zhoze e përqafoi përgjegjësin e mediave të Spërsave duke qeshur lirshëm, por edhe ai vetë e di sesa detyrë të vështirë do të ketë Totenhemi. Sidoqoftë, në Angli po thonë se kjo është sfida e duhur që Murinjo ta bëjë skuadrën e tij që të reagojë. Portugezi pati beteja me Liverpulin në Champions, kur ishte tek Çelsi, dhe u eleminua dy herë nga të kuqtë. Në fund, ishte humbja me Liverpulin që solli shkarkimin e tij nga Mançester Junajtidi. Ndoshta, një të papritur ai edhe mund ta bëjë.

Sfidanti.al