Tenisti i ri amerikan, Xhek Sok, u bë fituesi i papritur i turneut të mjeshtrave, të zhvilluar në Paris, pasi mundi në finalen e madhe Filip Krajinoviçun, duke i dhënë fund, kështu, “përrallës” së bukur të tenistit serb në “qytetin e dritave” që arriti, për habi të të gjithëve, deri në finale.
Ne setin e parë që ishte, pak a shumë, i ekuilibruar, tenisti serb tregoi nerva me të forta në fund të tij, duke e fituar atë 7-5, ndërsa setin e dytë e fitoi 6-4 Soku. Seti i tretë ishte i gjithë i tenistit amerikan, ndërkohë që Krajinoviçit, pasi dy gejmët e parë përfunduan në barazim 1-1, loja i iku atij nga duart dhe, kështu, Soku, fitoi pesë gejme me radhë, duke e fituar setin e tretë 6-1.
Titulli që fitoi Soku është i rëndësishëm, pasi me të ai hyri, për herë të parë në karrierën e tij, midis 10 tenistëve më të mirë të listës së ATP-së.