Xhejms Harden vazhdon të shënojë pafund duke shkruar faqe të tjera të historisë së NBA. Basketbollisti i Houstonit ishte protagonisti absolut në ndeshjen e radhës së skuadrës së tij ndaj Memfisit teksa e drejtoi atë të fitojë 112-94 me 57 pikë personale të shënuara duke regjistruar sfidën e tij të 17 radhazi që e kalon kuotën e 30 pikëve të shënuara. Një e dhënë kjo që e përforcon akoma më shumë pozitën e tij mes lojtarëve më të mirë në historinë e kampionatin amerikan të basketbollit.
Me këtë statistikë, Xhejms Harden kalon një basketbollist si Kobi Brajant , ndërkohë që i afrohet një legjende si Uilt Cambërlejn që në 1964 kaloi kuotën e 30 pikëve në 20 ndeshje radhazi. Gjithsesi Harden nuk e fitoi i vetëm ndeshjen, dhanë kontributin në suksesin e Hjustonit edhe Ostin Rivers, Hauz Xhunior dhe Xherald Grin. Ndërsa te Memfis Majk Konli dhe Garret Tempëll ishin shënuesit më të mirë me 14 pikë të shënuara. Me këtë fitore Grizlis tregon edhe njëherë se është në një moment të vështirë pasi ajo me Rokets ishte humbja e 8 në 10 ndeshjet e fundit të saj.
sfidanti.al