Xhejms Harden është një “raketahedhëse” edhe kur gabon shumë

Hjuston Rokits pati frikë se do të humbiste në fushën e Minesotës ku Rasëll Uestbruk u la pushim, dhe disa basketbollistë të tjerë ishintë dëmtuar. Kjo nuk ndodhi, skuadra nga Teksasi fitoi 125-105 dhe meritën kryesore për këtë e pati Xhejms Harden. Kapiteni shënoi 49 pikë, duke qenë realizuesi më i mirë në fushë, e duke mbetur në krye të renditjes së shënuesve të NBA-së këtë sezon.

E vërteta është se Hardeni gaboi shumë, pasi provoi 41 gjuajtje, duke realizuar vetëm 16 prej tyre, pra më pak se 40 për qind. Ai ishte i saktë nga gjuajtjet e lira (9-11), por merita kryesore e “Mjekrës” mbetet ajo që ai nuk tërhiqet kurrë, që vazhdon të gjuajë e të luftojë edhe kur gabon. Trajneri i tij, Majk D’Antoni, theksoi se “ne po luajmë me një bazuka në fushë”, duke e krahasuar Hardenin me një raketahedhëse. Kjo ishte fitorja e 7-të radhazi e Hjustonit që mban vendin e dytë në Perëndim, me 10 fitore e 3 humbje, duke qenë menjëherë pas Los Anxhelos Lejkërsave.

Sfidanti.al