Një pilot i Formula 1 është mësuar me çdo gjë dhe e çon mendjen shpesh edhe tek gjëja e fundit, pra që mund të humbasë jetën. Maks Verstapen nuk bën përjashtim, aq më tepër që ai është ndër “më të çmendurit”, ashtu si Ljuis Hamiltoni, Sebastian Feteli apo Fernando Alonso. Holandezi provoi një moment të rrezikshëm në pistën rrugore të Bakusë, kur makina i doli nga kontrolli ndërsa iu shpua goma, duke dalë nga gara. Për fat, Ljuis Hamilton gaboi më pas dhe Sergio Perez, gjithashtu me Red Bull fitoi. “Urime Çekos, – tha Verstapeni më pas, – ai bëri një garë të madhe dhe e meritoi. Unë nuk kuptova asgjë derisa ndodhi ajo që ndodhi. Nuk është një ndjenjë e mirë, por për fat ia hodha pa dëme, ndërsa makina jo edhe aq. Më vjen keq sepse ishim shumë mirë, po bënim një garë të fortë. Jam zemërthyer për garën time, por i lumtur për ekipin dhe sidomos për Çekon. Makina, strategjia, ndalesat gjithçka ishte e përsosur. Ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund”.
Sfidanti.al