Vale Rosi ndëshkohet në Australi, niset nga vendi i fundit

Australia e priti Grand Slemin e radhës së Moto GP-së me reshje dhe mot të ftohtë. Valentino Rosit nuk i mjaftoi kjo, por gaboi edhe vetë duke u ndëshkuar nga organizatorët e garës. Piloti italian bën më shumë xhiro sesa ishte e lejueshme, dhe dënimi erdhi menjëherë. Nga vendi dytë ku ndodhej u zbrit në të fundit.

Moti i skajshëm bëri që provat zyrtare në Filip Ajlënd (Ishullin Filip) të bëheshin të gjymtuara, duke u realizuar vetëm fraksioni i parë nga tre gjithsej. Në vendin e parë nesër do të niset britaniku Kal Kraçlou, duke lënë pas Petruçin e Milerin, ndërsa më të mirët janë më prapa.

Jo vetëm Rosi, por edhe Markez e Lorenco nuk mundën të shkëlqenin, siç duket të përgatitur për të dhënë maksimumin në fraksionin e tretë. Gjithsesi, kjo nuk do t’i prishë punë aspak Mark Markezit që është shpallur tashmë kampion i botës, por mund të dëmtojë Rosin që lufton me Horge Lorencon për vendin e dytë në renditjen e Botërorit.

B. Kuka