Sporti shqiptar do të ketë më pak para në dispozicion për vitin 2017. Kjo u mor vesh në debatin në komisionin përkatës të Kuvendit të Shqipërisë për buxhetin e vitit të ardhshëm. Shifra që qeveria do të japë për këtë qëllim do të jetë 186 milionë lekë (të rinj), një “tkurrje” prej 3.5 herësh në krahasim me vitin 2016. Deputeti socialist, Fidel Ylli, ka bërë debat me ministren e Arsmit dhe Sportit (MAS), Lindita Nikolla, duke i thënë se kaq para janë pak.
“Sporti do para – ka thënë Ylli – pa para nuk ka sport elitar, ndaj t’i bëjmë thirrje kryeministrit që të shtojë shumën dhe të mos na largohen sportistët nga Shqipëria”. Nikolla është shprehur se 186 milionë lekë vërtet janë pak, por mund të kenë më shumë vlerë nëse përdoren me më shumë efektivitet. Drejtori i Sporteve në MAS, Vladimir Gjonaj, ka sqaruar se është ulur vetëm fondi për investimet në infrastrukturë, pasi granti për federatat e ndryshme sportive nuk ndryshon.