Në gjuhën boshnjake, Zllatan do të thotë i Artë, dhe Suedia, vendi që e priti familjen e tij dhe e formoi si lojtar dhe si njeri, dëshiron që ai të përjetësohet pikërisht si i Artë. Një statujë me përmasa më të mëdha sesa origjinalet do të ngrihet për nder të Ibrahimoviçit në kryeqytetin Stokholm, me Federatën Suedeze të Futbollit që mori nxitje nga fakti që Zllatan u shpall Futbollisti më i mirë në vend për të 10-in vit radhazi.
Statuja, siç është ligj në futboll, do të vendoset në sheshin kryesor përpara stadiumit “Arena e Miqve” në Stokholm dhe do të jetë e lartë, 2.7 metra. Vetë Ibra ndoqi punimet e statujës, siç e tregon fotoja. Zllatan ishte vetë në kryeqytet për të marrë Çmimin e Lojtarit më të mirë të vitit, vlerësim që ai e ka fituar 11 herë në karrierë, ndërsa askush tjetër nuk ia ka dalë më shumë se dy herë. Ky ishte shkaku që Federata vendosi t’i ngrinte statujën. “Zakonisht, një statujë vendoset pas vdekjes, por unë ndjej që jam gjallë, – bëri shaka Ibra në ceremoni, – gjithsesi, pasi unë të vdes, statuja do të jetojë përgjithmonë”.
Ibrahimoviç luajti për Malmon, Ajaksin, Juventusin, Interin, Barcelonën, Milanin, Paris SG dhe këtë sezon tek Mançester Junajtid, fitoi 11 tituj kampion në karrierë, por asnjë herë Ligën e Kampionëve. Ai ka shënuar gati 400 gola në rreth 650 ndeshje me klubet, si dhe 62 gola në 116 ndeshje për Suedinë, ndërsa tani është tërhequr nga kombëtarja.