Kupa e Pavarësisë pa Vlorën dhe Flamurtarin, luhet në kryeqytet! Vitin e kaluar Flamurtari i Vlorës vendosi t’ia mbyllte Federatës dyer e stadiumit të tij për ndeshjet e Kupës së Pavarësisë, në ditën e festës, 28 nëntor. Duket se në Federatë këtë gjë nuk e kanë harruar dhe kanë vendosur që trofeu simbolit të diskutohet larg qytetit ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912, nga Ismail Qemali dhe Flamurtari nuk do të jetë pjesëmarrës.
Sipas njoftimit të Federatës, ndeshjet e kësaj kupe do të luhen në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit, ndërsa pjesëmarrës do të jenë Kukësi nga Shqipëria, Prishtina nga Kosova, Shkëndija e Tetovës nga shqiptarët e Maqedonisë si dhe Otranti i Ulqinit nga shqiptarët e Malit të Zi. Ky do të jetë edicioni i 8-të i Kupës së Pavarësisë, dhe 6 të parët u zhvilluan në Vlorë, ku Flamurtari përfaqësoi Shqipërinë në çdo rast. Vitin që kaloi veprimtaria u zhvillua në “Niko Dovana” të Durrësit, ndërsa futbolli shqiptar pati si përfaqësues skuadrën modeste të Partizanit B. Marrëdhëniet e Federatës me Flamurtarin janë shumë të tensionuara dhe janë përkeqësuar ndjeshëm nga konflikti për pagesat e prapambetura të lojtarëve Veliu, Sakaj, Abri e Vucaj, si dhe të trajnerit Gjoka.