Më në fund mund të merret frymë më lehtë. Flamurtari dhe Federata Shqiptare e Futbollit kanë gjetur gjuhën e përbashkët për borxhet, dhe vlonjatët nuk rrezikohen për t’u zbritur në Kategorinë e Parë.
Gjithsesi, bëhet fjalë për një marrëveshje të përkohëshme, dhe e keqja nuk është shumë larg. Akordi mes palëve parashikon që Federata të paguajë një pjesë të borxheve të Flamurtarit ndaj lojtarëve Veliu, Sakaj dhe Arbri, me anë të fondeve që u takojnë vlonjatëve nga e drejta televizive, fonde të bllokuara në llogaritë e Federatës. Presidenti Idrizi duhet të paguajë pjesën tjetër të borxhit deri në janar 2017, ndryshe skuadra e tij sërish mund të zbritet në Kategorinë e Parë.
Më herët, Flamurtarit iu hoqën 6 pikë nga Komisioni i Disiplinës pikërisht për mospagimin e parave në afatin e caktuar, ndërsa mbetet edhe një problem tjetër. Trajneri Ernest Gjoka kërkon 40 mijë euro, që i takojnë që nga sezoni 2013-2014, periudhë kur klubi administrohej nga Bashkia që kishte si kryetar Shpëtim Gjikën.