Bota e arteve marciale mikse është në zi pas ndarjes së papritur nga jeta të luftëtarit brazilian Allan Nascimento. UFC konfirmoi se sportisti 34-vjeçar u gjet pa shenja jete të hënën në mëngjes, ndërsa dyshimet e para flasin për një atak në zemër të pësuar gjatë gjumit.
Sipas organizatës amerikane, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipit mjekësor, Nascimento u shpall i vdekur në vendngjarje. UFC i shprehu ngushëllimet familjes, miqve dhe gjithë komunitetit të MMA-së për këtë humbje të rëndë.
Braziliani ishte pjesë e UFC-së që prej vitit 2021 dhe garonte në kategorinë “flyweight”. Ai e mbylli karrierën me 22 fitore dhe 7 humbje në MMA, ndërsa në UFC regjistroi 4 fitore dhe 2 humbje. Lajmi ka prekur thellë edhe ekipin e njohur Chute Boxe, ku Nascimento stërvitej prej vitesh. Ish-kampioni i UFC-së, Charles Oliveira, i kushtoi një mesazh emocionues mikut të tij, duke e quajtur “vëlla” dhe “legjendë”, ndërsa edhe bashkëluftëtari Elves Brener shprehu dhimbjen për humbjen e një prej figurave më të respektuara të skuadrës braziliane.

