Louis van Gaal mund të rikthehet edhe një herë në drejtimin e kombëtares së Holandës. Sipas De Telegraaf, tekniku 74-vjeçar është i gatshëm të marrë në konsideratë një mandat të katërt nëse Federata Mbretërore Holandeze e Futbollit do t’i propozojë rikthimin.
Raportimet bëjnë të ditur se gjendja shëndetësore e Van Gaal është përmirësuar ndjeshëm, duke i dhënë mundësinë të rikthehet në pankinë. Megjithatë, drejtimi i kombëtares holandeze nuk është objektivi i tij kryesor për momentin. Burimet pranë trajnerit bëjnë me dije se ai do të ishte i hapur për të zhvilluar bisedime me federatën nëse kjo e fundit do të shfaqte interes për ta rikthyer në krye të “Tulipanëve”.
Van Gaal vazhdon të ndjekë nga afër futbollin ndërkombëtar dhe njeh mirë pjesën më të madhe të lojtarëve që përbëjnë aktualisht kombëtaren holandeze, çka mund ta lehtësonte një rikthim të mundshëm. Trajneri me përvojë ka drejtuar Holandën në tri periudha të ndryshme: nga viti 2000 deri në 2001, më pas nga 2012 deri në 2014 dhe së fundmi nga 2021 deri në 2022. Tashmë mbetet për t’u parë nëse palët do të ulen sërish në tryezë për të nisur një kapitull të katërt.

