Rasëll Uestbruk, nga rekordi i Çembërlenit, tek dueli me kampionen Golden Stejt!

Lebron Xhejms nuk ishte aty për ta admiruar direkt. Mëkat pasi një kampion padyshim është i lumtur për sukseset e një kampioni tjetër, siç ishte ai i Rasëll Uestbrukut që barazoi një rekord të madh në NBA. Ylli i Oklahomës u bë i dyti lojtar në histori, pas Uilt Çembërlenit, që realizon një tripëll dabëll të veçantë, me të paktën 20 pikë të shënuara, 20 topa në tabela dh 20 pasime për kosh.

Saktësisht, Uestbruk pati 20 pikë, 20 topa në tabela e 21 asistë, diçka që e plotësoi një minutë para fundit të ndeshjes, së fituar 119-103 nga skuadra vendase. Basketbollisti me numrin 0 ka po ashtu një mesatare tripëll dabëlli për gjithë këtë sezon, të tretin radhazi, duke qenë i vetmi në histori që ia del.

Përveçse për Uestbrukun, ndeshja ishte e rëndësishme për Oklahomën, që hasi rezistencë të fortë nga Lejkërsat, edhe pse Lebroni u la pushim. Shkëputja ndodhi vetë në gjysmën e dytë të pjesës së tretë, falë pikëve të shumta edhe nga yjet e tjerë si Xhorxh, Grant, Adams, Ferguson apo gjermani Shrëder.

Oklahoma është e kualifikuar për në plej of, por vetëm në vendin e tetë, ndaj Uestbrukut e shokëve të tij do t’u duhet të tejkalojnë veten për të eleminuar kampionen në fuqi të NBA-së, Golden Stejtin.

Sfidanti.al