Njeriu që e ka emrin “kampion Evrope”ose Zhelko Obradoviç!

Zhelko Obradoviç është trajneri më i mirë në historinë e basketbollit evropian. Historia e tij e suksesshme filloi, krejt rastësisht, në verën e vitit të largët 1991. Kryesia e atëhershme e klubit Partizani të Beogradit e thirri në zyrë kapitenin e asaj kohe  (Obradoviçin) të tij dhe, krejtësisht papritur, i ofroi atij vendin e trajnerit të ekipit të këtij klubi ushtarak jugosllav, duke mos i shkuar, me siguri, aspak ndërmend se ajo (kryesia e Partizanit) po bënte një nga lëvizjet më të mira në historinë e basketbollit, duke qenë se si trajner të klubit ajo po vendoste një njeri që, më vonë, do të hynte në analet e këtij sporti si një nga më të mirët të të gjitha kohërave. Në fakt, ideja për një lëvizje të tillë kishte ardhur nga “babai i basketbollit jugosllav”, prof. Aleksandër Nikoliç, që, kështu, u bë nismëtar i njërës prej historive më të suksesshme në sportin e basketbollit.

Tani, 57 vjeç, Obradoviçi, javën e kaluar, fitoi titullin e 9-të kampion të Evropës, besoni apo mos e besoni, me pesë ekipe të ndryshëm! Nëse këtyre titujve, ju do t’u shtoni edhe dy tituj kampion bote me Serbinë/Jugosllavinë, kampion të Evropës dhe një medalje argjendti në Olimpiadë, atëherë, tabloja bëhet edhe më e plotë e më e qartë, se Zhelko Obradoviç është trajneri më i suksesshëm në historinë e basketbollit. Dushan Ivkoviçi dhe Etore Mesina, pa asnjë dyshim, që janë “shenjtë” në sportin e basketbollit, por Zhelko Obradoviç, sidoqoftë, është një shkallë sipër tyre. Përse? Ai ka koleksionuar, deri tani, nëntë tituj kampioni të Evropës me: Partizanin e Beogradit – më 1992, Huventudin – më 1994, Realin e Madridit – më 1995, Panathinaikosin – 2000, 2002, 2007, 2009 e 2011 dhe me Fenerbahçen – më 2017. Nuk ke se çfarë të thuash me shumë. Klubi, në stolin e drejtimit të të cilit ulet Zhelimir “Zhelko” Obradoviç, sipas rregullit, bëhet kampion i Evropës dhe aspak rastësisht!.

Sfidanti.al