Braziliani Maksuell “pensionohet” si futbollisti me më shumë trofe

Mbrojtësi i PSZH-së, braziliani Maksuell, edhe zyrtarisht, doli në “pension”, pasi, në Paris, në finalen e Kupës së Francës, luajti ndeshjen e tij të fundit. Me fitoren ndaj Anzherit, Maksuelli fitoi trofeun e tij të 37-të në karrierën e tij, duke u bërë, kështu, futbollisti me më shumë trofe i të gjitha kohërave në botë. Pas trofeut të fundit që fitoi, ai kaloi Rajan Gigsin e Mançester Junajtidit që ka 36 trofe, të pasuar nga Viktor Baija – 35 dhe Dani Alvesh – 34. Maksuelli, trofeun e parë e ka fituar me Kruzeiron para 17 vitesh, ndërsa, më pas, ai u shpërngul për në Evropë, fillimisht, ku me Ajaksin fitoi të gjitha trofetë e mundshme të atjeshme.

Më vonë, ai shkoi në Itali, ku me Interin fitoi tre skudeta (kampionate), ndërsa, më pas, veshi bluzën e Barcelonës, duke fituar dy herë Primerën spanjolle dhe një herë Ligën e Kampioneve. Në PSZH, ai ka qenë katër herë kampion i Francës dhe tri herë ka fituar kupën e këtij vendi. Maksuelli ka bërë të ditur se do të kthehet në Brazil, ku edhe do të vendosë, nëse do të vazhdojë ose jo të luajë.

Sfidanti.al