NBA nuk është vetëm e yjeve, Toronto ia tregoi këtë Lejkërsave

Strumbullari i titullit të fituar vjet, tashmë ka ndërruar fanelë dhe luan në këtë Arenë. Përveç kësaj, Toronto Reptors u detyruan të shkonin në “Stejpëll Sentërs” jo vetëm pa Koui Leonardin, por edhe pa dy yje të tjerë, që u dëmtuan. Kampionët nuk kishin titullarin Kajl Louri, dhe rezervën numër 1, Serg Ibakën, në duelin ndoshta më të vështirë, atë në fushën e Lejkërsave.

Gjithsesi, përballë Lebron Xhejmsit dhe Entoni Dejvisit u shfaq një skuadër e bashkuar që nuk lejoi jo vetëm të turpërohej, por që rrëmbeu skenën. Kanadezët fituan në Kaliforni 113-104, dhe më i miri i tyre ishte Paskal Siakam me 24 pikë, 11 topa në tabela, 4 asistë, 1 vjedhje topi e 4 bllokime gjuajtjesh. Në krah pati VanVlitin (23 pikë), Buçerin (15), Pauellin (14) dhe Dejvisin (13) pa përmendur të tjerët.

Edhe pse Lejkërsat ishin më mirë në tabela dhe me asiste, sërish Toronto u tregua më e saktë në sulmet e saj. Lebron Xhejms pati një tripëll daball, por me pak pikë: 13 pikë, 13 topa në tabela, 15 asistë, ndërsa Entoni Dejvis shënoi 27 pikë e kapi 8 topa në tabela. Vendasit nuk patën lojtarë të tjerë që shkëlqyen, ndaj edhe e pësuan.

Sfidanti.al