NBA, Miluoki dhe Adetokumbo fituan, veçse rruga drejt titullit është “malore”!

E dinë se do ta kenë shumë më të vështirë. Basketbollistët e Miluokit, kampionë në fuqi të NBA-së, e nisën plej ofin e këtij viti në pozita krejt të ndryshme nga vjet, veçse sërish duan që t’ia dalin. Ndeshja e parë ishte në shtëpi ndaj Çikagos, dhe ekipi i dikurshëm i Majkëll Xhordanit nuk ia bëri aspak të lehtë jetën yjeve vendas. U desh një Janis Adetokumbo në formë të madhe, në sulm e në mbrojtje, që Baksat t’ia dilnin mbanë. Fitorja ishte 93-86, në një përballje ku mbrojtjet ishin të ashpra dhe sasia e pikëve i ngjau më shumë atyre në Euroligën europiane, sesa në basketbollin amerikan. Adetokumbo shënoi 27 pikë, kapi 16 topa në tabela, shërbeu 3 asistë dhe bllokoi 2 gjuajtje të kundërshtarëve.

Përballë rivalëve të fortë si Vuçeviç, DeRozan apo Lavin, ai bëri 5 gabime personale dhe e humbi topin gjithashtu 5 herë. Për fat, kjo nuk i prishi punë Miluokit, për të cilin Bruk Lopez shënoi 18 pikë, Holidei 15 dhe Kris Midëlton 11 pikë, duke pasur edhe 5 topa në tabela e 5 asistë. Adetokumbo me shokë e di mirë se këtë vit, ekipi i tyre nuk është në rolin e favoritit as në Konferencën e tij. Miluoki doli i treti në Lindje, e ndoshta nuk do ta ketë favorin e faktorit fushë, që nga raundi i ardhshëm, gjithnjë nëse kualifikohet, e ku mund të ndeshet me Bostonin ose Bruklinin.

Sfidanti.al