NBA, Irving debutom me fitore tek Dallasi!

Keri Irving bëri një debutim me fitore në sfidën e tij të parë me Dallas. I transferuar vetëm pak ditë më parë, basketbollisti ndihmoi Maveriks në triumfin me gjashtë pikë diferencë kundër Los Anxheles Klipers. Rezultati përfundimtar i kësaj sfide ishte 104-110. Irving mbylli paraqitjen e tij me 25 pikë, 4 topa në tabelë dhe 5 asist për shokët e tij të skuadrës. Një fitore të madhe në ndeshjen më të rëndësishme të Konferencës së Lindjes mori Boston. Sëlltiks i shtuan suksesin e 39-të serisë rekord në këtë sezon të NBA, duke kaluar Filadelfian me rezultatin 106-99.

Pavarësisht qëndrimit në hije të Xhejzon Tatum me vetëm 12 pikë, Boston arriti të marrë maksimumin në këtë përballje falë lojës së skuadrës. Vazhdon me ulje ngritje sezoni i Golden State. Kampionët në fuqi të basketbollit amerikan u mundën nga Portlend me vetëm tri pikë diferencë në rezultatin e përgjithshëm 125-122. Njeriu i ndeshjes ishte pa asnjë diskutim Damien Lilard me tre shifra dopjo, 33 pikë, 11 asist dhe 10 topa të kapur në tabelë. Për “Uorriors” nuk mjaftoi paraqitja e shkëlqyer personale e Klei Tomson autor i 31 pikëve. Në sfidat e tjera të mbrëmjes së fundit në NBA, fitore siguruan Minesota, Sakramento, Klivlend, Majemi dhe Toronto.

Sfidanti.al