MotoGP, Markez thyen tabunë, pole position në Japoni

Mark Markez thyen tabunë dhe fiton pole position në Cmimin e Madh të Japonisë në Botërorin e MotoGP, dicka që i mungonte në karrierën e tij. Piloti spanjoll, i saposhpallur kampion bote për herë të 8, dominoi provat zyrtare të kësaj ndalese të zhvilluar në pistën e Motegit duke e përshkuar atë me kohën 1 minutë 45 sekonda e 763 të mijtat duke lënë pas dy motorët Yamaha Petronas të Morbidelit të renditur në vendin e dytë dhe fabio Kuartararo në të tretin

Për Markez, pole positioni i arritur në Japoni është e 90 në karrierën e tij të jashtëzakonshme. Morbideli në vendin e dytë barazoi rezultatin e tij më të mirë pasi u nis nga ky pozicion edhe në garën e zhvilluar në Herez, ndërsa Kuartararo me vendin e tretë regjistron garën e tij të dhjetë radhazi që do ta nisë nga vija e parë e startit.

Në vijën e dytë të nisjes do të jenë Vinjales me Yamahën zyrtare në vendin e katërt, Kraclou në të pestin dhe Miller me Ducati Pramac në të gjashtin. Nuk shkoi më shumë se vendi i 7, piloti i Ducatit zyrtar, Andrea Doviciozo, ndërkohë që Valentino Rossi do të nisë garën nga vija e katërt e startit.

sfidanti.al