Miluoki ka 11 fitore radhazi, por Adetokumbo e Holidei nuk patën rivalë përballë!

Ish-kampionët e vitit 2021 janë kthyer sërish në formë të madhe. Miluoki Baksët janë padyshim pretendentë për titull, ndërsa fitorja ndaj Bostonit ishte e 11-ta radhazi këtë sezon në NBA. Shifrat nuk ishin të thella, 131-125, dhe kjo edhe pse Sëlltiksave u mungonin yjet kryesorë si Xhejzën Tatëm, Xhejlën Braun, Markus Smart, Al Horford apo Danilo Galinari. Basketbollistët e tjerë bënë shumë si Uajt, Brogdon, Muskala, Grifin, Hauser apo Uilliams, por nuk ia dolën përballë Janis Adetokumbës dhe Xhejru Holideit. Adetokumbi pati 36 pikë, 13 topa në tabela e 9 asistë, si dhe dy bllokime gjuajtjesh, ndonëse gaboi shumë në gjuajtjet e lira (11-19) si dhe e humbi topin 8 herë. Holidei, edhe ai i zgjedhur në Ndeshjen e Yjeve, pati 40 pikë, 5 topa në tabela, 7 asistë, 3 vjedhje topi. Bostoni mban kreun në Lindje në NBA me 41 fitore e 17 humbje, ndërsa Miluoki ka 40 fitore e 17 humbje. Në Perëndim kryeson Denveri me 40 fitore e 18 humbje.

Sfidanti.al