Miluoki dhe Adetokumbo e treguan veten si kampionë në Filadelfia!

Është thënë shpesh se këto suksese vlejnë më shumë se një ndeshje. Miluoki e tregoi veten si kampioni i vërtetë i basketbollit amerikan me triumfin e vështirë, por domethënës në fushën e Filadelfias. Në fund doli 118-116, pas një lufte të fortë në parket mes atyre që janë normalisht skuadrat më të mira të Konferencës Lindore, dhe që si objektiv kanë vetëm titullin. Janis Adetokumbo shënoi 40 pikë dhe shtoi 14 topa në tabela, në një paraqitje vërtet të madhe. Lojtari më i mirë i finaleve të vjetshme të NBA-së pati edhe 6 asistë, 1 vjedhje topi e 3 bllokime, përfshi edhe bllokimin vendimtar në fund ndaj yllit vendas, Zhoel Embijd.

Në një ndeshje tepër të ashpër, Adetokumbo u ndihmua nga Midëlton që shënoi 22 pikë, Holidei me 18 pikë e 10 asiste, apo Bruk Lopez me 17 pikë. Dyshja e madhe e Filadelfias nuk është se luajti keq. Embijd shënoi 29 pikë si dhe kapi 14 topa në tabela e pati 7 asistë. Xhejms Harden realizoi plot 32 pikë, pati 5 topa në tabela e 9 asistë, por që të dy nuk mjaftuan. Miluoki është thuajse në krye të Konferencës së Lindjes, ndërsa Filadelfia është e katërta, por vetëm me një humbje më shumë.

Sfidanti.al