Ishte më i miri në parket, por kjo nuk i bëri punë. Natyrisht, faj patën gjyqtarët që nuk dhanë faullin në sekondat e fundit, por fakti mbetet fakt, që Lejkërsat u mundën në Boston dhe që Lebron Xhejmsit nuk i shërbyen 41 pikët e shënuara. Edhe pse 38 vjeç, ai po luan njësoj si kampionët më të rinj si Jokiç, Donçiç, Adetokumbo apo Embijd, dhe në Arenën e Sëlltiksave iu afrua një tripëll dabëlli me 9 topa në tabela e 8 asistë. Bostoni fitoi 125-121 dhe Xhejlën Braun pati 37 pikë, 9 topa në tabela e 3 asistë, plus 1 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje. Xhejzën Tatëm shtoi 30 pikë, me 11 topa në tabela e 4 asistë, plus 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje. Gjyqtarët pranuan se kishin gabuar ndaj Lebronit, ndërsa lajmi tjetër i keq është që Xhejmsi dhe Dejvisi nuk do të luajnë në ndeshjen e radhës. Bostoni kryeson në Lindje, ndërsa Lejkërsat janë në vend të tretë nga fundi në Perëndim.
Sfidanti.al