Luka Donçiç po provon shijen e fitoreve në plej ofin e NBA-së

Pavarësisht sesi mund të përfundojë seria, ylli nga Sllovenia po përshtatet gjithnjë e më shumë me këtë fazë të sezonit, dhe kjo do t’i vlejë për të ardhmen. Ai arriti për herë të parë këtë edicion të kalonte një raund të plej ofit në udhëheqje të Dallasit, diçka që ndodhte për herë të parë në ekip që nga koha e Dirk Novickit, dhe shanset janë për të kaluar edhe raundin e dytë. Do të jetë tepër e vështirë, por gjithsesi Dallasi e tregoi veten në ndeshjen e gjashtë gjysmëfinale të Perëndimit duke mundur ekipin më të mirë të NBA-së, Feniksin, me shifrat e thella 113-86. Kjo do të thotë, me 27 pikë diferencë, ndërsa në fushë ishin Devin Buker, Kris Pol apo Ajton. Donçiç shënoi 33 pikë dhe do të provojë fatin duke u gdhirë e hëna sipas orës së Shqipërisë, me ndeshjen e 7-të vendimtare që luhet në Feniks. Trajneri Xhejzën Kid ishte lojtar në 2011, kur Dallasi kaloi për herë të fundit raundin e dytë të plej ofit dhe pastaj fitoi titullin në NBA.

Sfidanti.al