Luka Donçiç, mos je vallë Xhordani apo Lebroni i ri në NBA?!

Për dy ndeshje radhazi ishte i paarritshëm. Në një duel me “Mbretin” Lebron Xhejms, ylli ballkanas i NBA-së nuk doli i turpëruar, duke realizuar tripëll dabëllin e dytë. Luka Donçiç udhëhoqi Dallasin në fitoren e thellë ndaj Klivlendit, 131-111. Slloveni 21-vjeçar është bërë lajm në basketbollin amerikan, sepse është më i riu që arrin në 11 tripëll dabëlla në karrierë, duke thyer rekordin e legjendës Mexhik Xhonson, që kishte arritur deri në 7.

Jo vetëm kaq, por Donçiç u bë më i riu lojtar në NBA që realizon dy tripëll dabëlla radhazi me të paktën 25 pikë të shënuara. Edhe në këtë rast, ai theu rekordin e Mexhik Xhonsonit. Për më tepër, numri 77 i Dallasit, u bë i pari basketbollist në historinë e basketbollit të Shteteve të Bashkuara, që arrin dy tripëll dabëlla radhazi, me të paktën 29 pikë, 13 topa në tabela e 15 asistë.

Tashmë, analistët po bëjnë krahasime me Lebron Xhejmsin, dhe po pyesin nëse djaloshi nga Europa mund të bëhet më i madhi i NBA-së, edhe më i madh sesa legjendat Majkëll Xhordan apo Lebron Xhejms. Natyrisht, është ende shumë shpejt, pasi Xhordan dhe Lebron kanë dalë disa herë kampionë, dhe kanë shkëlqyer për gati 15 vjet, veçse për Donçiçin mund të përdoret shprehja e urtë, “fillimi i mirë, gjysma e punës”.

Sfidanti.al