Racizmi në Itali, “La Gazeta delo Sport”: Balo, je një italian i vërtetë!

Nuk ishte hera e parë, madje është e sigurt që nuk do të jetë e fundit. Gjithsesi, Mario Baloteli është gjithnjë lajm i madh në Itali, sidomos kur ka ofendime raciste ndaj tij. Pas skenave të ndeshjes së Serisë A, Verona-Bresha, dhe sjelljes së një pjese të tifozëve ndaj sulmuesit, pati polemika të forta. Mediat, përgjithësisht, dënuan racizmin, ku bëri dallim “La Gazeta delo Sport”, që shkruajti se racizmi në stadiume po përçan vendin. Titulli i saj ishte: Balo, një italian i vërtetë!

Kjo, një përgjigje për kreun e tifozëve ultras të Veronës, të quajtur Luka Kastelini, i cili kishte deklaruar se Baloteli nuk mund të jetë kurrë plotësisht italian.  Kastelini ka bërë së fundmi edhe deklarata nacionaliste, duke u shprehur kundër integrimit të të huajve, e duke e quajtur shkatërrim të rrënjëve të kombit italian.

Baloteli, natyrshëm, që nuk mbeti pa u përgjigjur. “Po i referoheni gjërave shoqërore dhe historike që janë më të mëdha se ju, – ishin fjalët e tij, – ju jeni me të vërtetë të çmendur dhe injorantë, ndaj duhet të mbyllni gojën. Ju jeni një shkatërrim i vërtetë”.

Klubi i Veronës reagoi menjëherë pas deklaratave të ultrasit, duke e përjashtuar nga stadiumi deri në vitin 2030, por problemet nuk përfundojnë këtu. Lideri i partisë Lega Nord, pra Lidhja e Veriut, Mateo Salvini, bëri një sulm të një lloji tjetër ndaj Balotelit, kur u pyet për të. “Kemi 20 000 punonjës që rrezikojnë vendin e punës, ndërsa Baloteli është i fundit nga problemet që kam, – u shpreh ish-ministri i brendshëm, – Racizmi dhe antisemitizmi janë gjithnjë të dënueshëm, por vlen më shumë një punëtor i thjeshtë i metalurgjisë sesa 10 Balotelë, nuk kemi nevojë për fenomenë”.

Salvini nuk sqaroi se në ç’mënyrë mund të ndajë problemin e papunësisë nga racizmi. Baloteli shënoi një gol të bukur në humbjen e Breshës në Veronë, por më pas tentoi të largohej nga fusha, kur e ofenduan. Ai u bind që të qendronte pas ndërhyrjes së lojtarëve të të dyja skuadrave. Në krah të tij dolën trajneri i Interit, Konte, dhe ai i Italisë, Mançini.

Ndërkaq, Komisioni i Disiplinës në Ligën Italiane të Futbollit konfirmoi problemet me racizmin, duke mbyllur për një ndeshje sektorin e tribubës ku u ofendua Baloteli.

Sfidanti.al