Asnjë lojtar nuk ia kishte dalë më parë në të gjitha kohët, që kur luhet NBA. Luka Donçiç bëri diçka të paarritur nga Bill Rasëll, Uilt Çembërlen, Karim-Abdul Xhabar, Majkëll Xhordan apo Lebron Xhejms, duke shënuar 42 pikë në ndeshjen e tij debutuese në plej of. Superylli 21-vjeçar nga Sllovenia pati edhe 7 topa në tabela e 9 asistë, duke iu afruar një tripëll dabëlli, e po ashtu 3 vjedhje topi. Edhe përqindra e realizimit ishte shumë e mirë, me përjashtim të tripikëshave (2-6).
Gjithsesi, paraqitja e frymëzuar e Donçiçit nuk mjaftoi për Dallasin ndaj Los Anxhelos Klipersave, aq më tepër kur në pjesën e tretë u përjashtua nga loja qendra letoneze, Kristaps Porzingis, që kishte shënuar 14 pikë e kapur 6 topa në tabela deri në atë kohë. Klipersat patën më shumë alternativa, sidomos Leonardin me 29 pikë, 12 topa në tabela, 6 asistë e 3 vjedhje topi. Po ashtu, Pol Xhorxhin me 27 pikë, Markus Morrisin me 19 pikë dhe qendrën kroate, Ivica Zubac me 10 pikë e 10 topa në tabela. Klipersat fituan 118-110 në ndeshjen e parë të plej ofit, në turin e parë të Konferencës Perëndimore.
Sfidanti.al