Guardiola “100 për qind rri tek Siti”, por e këshillojnë të marrë Lautaron!

Pasi një pjesë e tifozëve e donin të shkarkuar, sepse “nuk ishte në gjendje të eleminonte as Lionin”, duket se fati po i buzëqesh përsëri trajnerit katalanas. Argjenti i Pep Guardiolës ka siguruar se klienti i tij do të qendrojë me 100 për qind tek Mançester Siti, dhe se nuk e mendon aspak një kalim tek Barcelona, ndërsa çështja kryesore është forcimi i skuadrës për sezonin e ardhshëm. Disfata në Champions tregoi se edhe një skuadër me mjaft yje si Siti ka momente dobësie, dhe disa prej lojtarëve duhet të zëvendësohen.

Të tillë janë Kun Aguero apo David Silva, ndërsa Leroi Sane është larguar për tek Bajerni. Ish-mesfushori i Anglisë, Ouen Hargrivs, e këshillon Guardiolën që të hidhet në sulm për Lautaro Martinezin. “Unë e di se Siti po kërkon një zëvendësues për Agueron, – tha Hargrivsi, – njeriu i duhur është Lautaro Martinez. Ai është 22 vjeç dhe ka gjithçka që i duhet një sulmuesi”. Gjithsesi, mund të ketë konkurrencë pasi sulmuesin e Interit e kërkon Barcelona (është folur edhe për Realin), dhe kartoni i tij kushton 112 milionë euro.

Sfidanti.al