Ai mbetet një nga më të mirët, por sukseset nuk po vijnë. Lebron Xhejms ishte sërish një shënues i rëndësishëm në basketbollin amerikan duke udhëhequr Los Anxhelos Lejkërsat, veçse skuadra e tij pësoi humbjen e dytë radhazi në këtë fillim sezoni në NBA. Feniks Sans e mposhti ekipin nga Kalifornia madje në “Stejpël Sentër” me shifrat 115-105. Në këtë sfidë, ylli i Feniksit, Kris Pol, shkroi historinë e basketbollit amerikan duke u bërë i pari lojtar me të pakrën 20 000 pikë dhe 10 000 asistë për të gjitha kohët në NBA. Lebroni shënoi 25 pikë, por bëri më pak gjëra të tjera, me vetëm 2 topa në tabela, 5 asistë e 2 vjedhje topi, duke marrë vlerësimin e ulët -6. Ai pati 32 pikë edhe në ndeshjen e kaluar ndaj Golden Stejtit, të humbur 113-115 ku shkëlqeu ylli i miqve, Stefën Kërri.
“Është e qartë se ne patëm probleme në të dyja ndeshjet, – pranoi Lebroni më pas, – ne do të na duhet më shumë kohë që të luajmë bashkë për t’u bërë skuadra që duam që të bëhemi. Unë e di edhe vetë se kemi mangësi, dhe se duhet të kemi durim për të bërë diçka të veçantë. Kjo nuk mund të bëhet brenda një nate, pavarësisht sesa shumë e duam ne atë. Ne e dimë se çfarë aftësisht kemi dhe se çfarë mund të bëjmë, por kjo kërkon kohë”. Lebroni është në sezonin e katërt me Lejkërsat, ndërsa fitoi titullin në 2020, por ka qenë zhgënjim në pjesën më të madhe të kohës. Nuk dihet nëse Xhejmsi do të ketë kohë të shtojë 4 titujt kampion, për të arritur legjendën Majkëll Xhordan që ka 6 unaza në NBA.
Sfidanti.al