Është e njëjta histori shkruajnë në Angli ku e njohin më mirë se të gjithë trajnerin portugez. Zhoze Murinjo e lëshoi menjëherë veten sapo u rrëzua në pengesën e parë, duke mos arritur të kontrollonte reagimin. Shfrimi i tmerrshëm pas humbjes 1-6 në fushën e Bodo Glimtit në Ligën e Konferencës, me shumë gjasë mund t’i kushtoj Romës, ndërsa lojtarët e rinj që duhet të përgatiten për të ardhmen, janë të tronditur. Marash Kumbulla, mbrojtësi 21-vjeçar i kombëtares shqiptare, ishte një nga ata që Murinjo “u tha munxët”. “Mbrojtësit që unë kisha në stol ishin Rejnold, Kumbulla, Kalafiori, – deklaroi ai, – unë kam 13 lojtarë të nivelit të lartë, ndërsa pjesa tjetër është shumë më prapa. Bodo pati formacion më cilësor sesa ai që pata unë”. “Deili Meil” tallet me Murinjon duke thënë se në verë ai shpenzoi rreth 100 milionë euro, më shumë se çdo trajner tjetër në Itali, ndërsa sërish thotë se ka vetëm 13 lojtarë. Paraardhësi i tij, Paulo Fonseka, pati më pak futbollistë në dispozicion, por sërish arriti në gjysmëfinale të Ligës së Europës! E njëjta gjë, shkruajnë në Angli ndodhi me Murinjon kur ishte tek Mançester Junajtidi duke prishur raportet me Ljuk Shoun apo Lukakun, derisa më në fund e shkarkuan.
Sfidanti.al