Në epokën e dikurshme ishte Bill Rasëll. Lideri i Boston Sëlltiksit mjaftonte që skuadra e tij të thyente cilindo kundërshtar, pavarësisht sesa talent kishte në të. Më vonë erdhi koha e Majkëll Xhordanit, që e ngjiti Çikago Bullsin në një nivel sa mund të thyente edhe vetë “Skuadrën ëndërr”, pra kombëtaren e SHBA-së, me kusht që ai të mos ishte me të. Sot, këtë gjë duket se ka vendosur ta bëjë Lebron Xhejms. Prova erdhi në përballjen e parë të sezonit ndaj superfuqisë dhe superfavorites për të fituar titullin, Golden Stejtit.
Në Arenën e Klivlendit, ai i dha një lumturi të shfrenuar gati 20 000 shikuesve, duke i vënë shpatullat një sfide që shumëkush e jepte të humbur. Edhe në parket ajo po humbej, pasi Uorriors ishte 14 pikë përpara në pjesën e katërt, por Lebron nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit. Ai jo vetëm shënoi 31 pikë dhe bëri gjëra të tjera të mëdha, jo vetëm dominoi shpesh tabelat, çau mbrojtjen, dhe i dha hapësirë shokëve, por edhe i frymëzoi ata. Kajri Irving shtoi 25 pikë dhe Kevin Lov realizoi 20 dhe Klivlendi fitoi në 3 sekondat e fundit 109-108.
Kur kjo arrihet ndaj një ekipi që ka në formacion Kevin Durantin, Stefën Kërrin, Klej Tompsonin apo Drejmond Grinin, atëherë është vërtet e madhe. Ende nuk mund të thuhet se Xhejms është “antidoti” i përsosur ndaj ekipit më të talentuar sot për sot në NBA, pasi Kavaliersi mezi fitoi me 1 pikë në fushën e tij, veçse ecuria e dy sezoneve të fundit tregon se Lebron arrin të ngrihet gjithnjë në lartësinë e detyrës, të mos dorëzohet kurrë dhe të detyrojë kundërshtarin të dorëzohet.