Pep Guardiola e kuptoi edhe një herë sesa e vështirë është të fitosh në futbollin anglez. Ashtu si miliarderi Uarren Bafet ia di për faleminderit Amerikës që e ka bërë të tillë, ashtu edhe trajneri i Hullit, Majk Felan, duhet të jetë ndjerë krenar që skuadra e tij modeste po përballonte një superfuqi thjesht për shkak të stilit të lojës së shpikësve të këtij sporti. Për 70 minuta, të mrekullueshmit e Mançester Sitit ishin si të mbyllur “në burg” nga një grup djemsh luftarakë, dhe nga era e fortë e dimrit anglez.
Për fat, klasi i Sitit ishte pak më shumë sesa mund të përballonin vendasit. Rahim Stërling depërtoi në zonë në minutën e 70-të, dhe në momentin e gjuajtjes, u pengua qartë nga Robertson. Penallti pa hile, të cilën e ktheu në gol Jaja Ture, “i dënuari i madh” i Guardiolës në fillim të sezonit. Trajneri i madh katalanas vazhdimisht po nxjerr mësime në ishull. Ture shënoi golin e parë vetëm në minutën e 72-të dhe kaq u desh. Keleçi Ikeanaço shënoi rrjetën e dytë gjashtë minuta më pas, ndërsa rezultati u “rrumbullakos” nga autogoli i Kërtis Dejvisit, në sekondat shtesë.
Kjo fitore bëri që Siti të mos e humbte Çelsin nga sytë, të mbetej 7 pikë prapa kryesuesve, kur ka ende 20 javë kampionat për t’u luajtur, pra 60 pikë në lojë. Nëse Pep arrin të mësojë edhe pak më shumë “anglishten” në futboll, “qytetarët” kanë shanse të mira për të ëndërruar për fitoren e Premier Ligës.