Lebron vendosi fatin e plej init, por a e mbrojnë dot titullin Lejkërsat?!

Ndoshta do të jetë sezoni më i vështirë i karrierës së tij, duke hequr mënjanë ata të fillimit fare, dhe atë të parin në Los Anxhelos, kur edhe u dëmtua dhe skuadra nuk arriti në plej of. Lebron Xhejms e udhëhoqi Los Anxhelos Lejkërsin në fitoren e ngushtë dhe të vështirë 103-100 ndaj Golden Stejtit në plej in, veçse pikëpyetjet mbeten sesa do të jetë në gjendje ekipi nga Kalifornia të sfidojë parashikimet. Lejkërsat janë në vend të shtatë në Perëndim dhe do të luajnë me skuadrën e dytë të renditjes, Feniks Sans, që mund të quhet favorite.

Lebroni gjithsesi do të bëjë çmos që gjithçka të tjetë ndryshe. Kundër Golden Stejtit ai arriti një tripëll dabëll me 22 pikë, 11 topa në tabela e 10 asistë. Ai shënoi koshin vendimtar për tri pikë kur duheshin edhe rreth 58 sekonda lojë, në distancë prej mbi 11 metrash larg. “Më futën gishtin në sy dhe më dukeshin 3 kosha, – tha Lebroni më pas, – unë shënova në atë në mes. Për fat, arrita ta gjej gjuajtjen e saktë”. Ishte koshi me distancën më të madhe të sezonit dhe sipas ESPN-së ishte koshi me distancën më të madhe në 3 minutat e fundit në çdo ndeshje të karrierës së tij. Stefën Kërri shënoi 37 pikë për Golden Stejtin që ishte 13 pikë në avantazh, por që humbi.

Sfidanti.al