U shënua jo pak, por plot shtatë herë. Gjithsesi, rekordi i madh u duk se nuk do të thyhej dhe u desh të pritej deri në minutën e parë shtesë. Kaq iu desh Robert Levandovskit për të realizuar më në fund golin numër 41 të sezonit në Bundesligë e për të kaluar arritjen legjendare të Gerd Mylerit. Sërish një sulmues i Bajernit është pronar i rekordit të kampionatit gjerman për numrin e rrjetave në një edicion, ndërsa u deshën të priteshin gati 40 vjet. i mbiquajturi “Bomberi i Kombit” e bëri në 1972, në një kampionat padyshim shumë më të vështirë sesa ky sot, me ekipe si Mynshengladbahu apo Kaizerslauterni që shkatërronin pa problem edhe Realin e Madridit.
Suksesi i polakut ndodhi në “Alianc Arena” në ndeshjen e fundit të edicionit në një fitore 5-2 ndaj Augsburgut. Bajerni e kishte siguruar titullin që më parë, dhe e mbylli sezonin me 78 pikë dhe me 99 gola të shënuar, pra vetëm një larg qindshes. Golat e tjerë në portën e Augsburgut i shënuan Guvelëv, një autogol, Serg Gnabri, Xhoshu Kimih dhe Kingsli Koman. Ishte edhe sfida e fundit e trajnerit Hansi Flik në stolin bavarez, pasi pritet të marrë drejtimin e kombëtares së Gjermanisë. Në vetëm 1 vit e gjysmë në drejtim, ai fitoi 7 tituj, përfshi dy në Bundesligë, Championsin dhe Kupën e Botës për klubet.
Sfidanti.al